Botuar tek gazeta Shqip
www.adrinurellari.com

Adri Nurellari
Zgjedhjet e këtij viti në aspektin e komunikimit politik shënuan një hap të ndjeshëm përpara, njëherazi cilësor dhe sasior jo vetëm si pasojë e rëndësisë së madhe të këtyre zgjedhjeve për palët që morën pjesë por edhe si rrjedhojë e reformës elektorale. Pikësëpari vlen të përmendet se më shume sesa një fushatë që niste nga hiçi disa javë para zgjedhjeve, periudha parazgjedhore ishte një lloj ngritje dhe intensifikim e asaj qe Sidney Blumenthal e ka quajtur dikur fushatë permanente. Evoluimi i konsiderueshëm i marrëdhënieve me publikun dhe komunikimit politik në Shqipëri është dëshmuar me aplikimin e fushatës permanente jashtëzakonisht të sofistikuar të të dy partive kryesore në periudhën mes dy zgjedhjeve. Liderët politikë e kanë çuar në qendër të vëmendjes së veprimtarisë së tyre të zakonshme mbajtjen e një profili publik aktiv e të kujdesshëm si dhe veprimtarinë mediatike apo në terren që synon të garantojë popullaritet e vizibilitet.
Në fushatën zgjedhore 2009 ajo që të tërheq menjëherë vëmendjen është sasia e madhe e parave e hedhur në këto zgjedhje nga burime jo transparente, që dukeshin qartë që ishin harxhuar nga luksi që rrezatonte kudo fushata, gjë që dëshmon për lidhjen e fortë të ekonomisë me politikën si dhe për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri. Vetëm politikanë të majmur nga korrupsioni mund t’i lejonin vetes gjithë atë kosto që ka pasur fushata zgjedhore. Gjithashtu mund të thuhet se sistemi i patronazhit ka pasur një rol vendimtar në financimin e fushatës pasi biznese të shumta ose janë të zotëruara nga politikanë ose janë të motivuar që të fitojë një palë e caktuar politike pasi e dinë që nëpërmjet klientelizmit politik mund të sigurohen tenderë, licenca apo imunitet për veprimtari të paligjshme si kontrabanda apo evazioni fiskal. Pra pati shumë aktorë të cilët nuk u kursyen në hedhjen e parave për të mundësuar zgjedhjen e një aktori të caktuar politik e madje pati një numër të madh biznesmenësh me emër që u bënë pjesë e listave të kandidatëve të partive kryesore. Kjo gjë bëri që marketingu politik të zaptonte e përmbyste hapësirën publike, duke nisur nga mediat kombëtare e përfunduar tek muret e lagjes, shumë muaj përpara se të niste zyrtarisht fushata.
Reforma elektorale pati gjithashtu një impakt domethënës pasi mundësoi përqendrimin e fushatës në dorën e partisë, duke zëvendësuar fushatat e bëra gjatë mazhoritarit ku luante shumë më tepër rol iniciativa apo improvizimi i kandidatit në distriktin përkatës. Sistemi i ri elektoral bëri të mundur përdorimin e strategjive edhe taktikave gjithëpërfshirëse nga partitë politike, solli prodhimin e materialeve të unifikuara të marketingut, nxiti koordinimin e përpunimit dhe transmetimit të mesazhit politik në gjithë vendin nga partitë e ndryshme si dhe rriti rolin e medias kombëtare. Centralizimi i madh i fushatës u vu re në mënyrë të veçantë tek raportimi televiziv ku televizionet e ndryshme u ndaluan që të mbulonin ngjarjet e ndryshme të fushatës dhe iu servirën kronika të gatshme të përpunuara e censuruara me hollësi nga shtabet fushatuese të partive të ndryshme.
Reforma elektorale gjithashtu eklipsoi akoma më tej rolin e individëve të ndryshëm në ndjelljen e elektoratit duke e përqendruar vëmendjen tek partia dhe tek lidershipi i partisë. Kjo e bëri këtë fushatë të ngjante më shumë me një gare elektorale presidenciale amerikane sesa zgjedhje parlamentare evropiane.
Vlen gjithashtu për t’u theksuar se në këto zgjedhje të gjithë aktorët kryesor politik qenë pak a shumë të provuar të paktën njëherë në pushtet, asnjë nuk rezervonte më surpriza apo ngjallte ndonjë shpresë të veçantë, prandaj partitë nuk mund të krenoheshin më me sfilatën e kandidatëve të panjohur apo që vinin nga fusha të tjera të jetës, sikurse ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005.

Adri Nurellari
0 responses so far ↓
There are no comments yet...Kick things off by filling out the form below.
You must log in to post a comment.